Atdheu i tjetrit

Atdheu i tjetrit

by Shpend Sollaku Noï
Atdheu i tjetrit

Atdheu i tjetrit

by Shpend Sollaku Noï

Paperback

$14.03 
  • SHIP THIS ITEM
    Qualifies for Free Shipping
  • PICK UP IN STORE
    Check Availability at Nearby Stores

Related collections and offers


Overview

Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpend Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane. Lirika e tij është aktuale, inçizive, kafshuese, mallëngjyese, e vuajtur, gërvishtëse, magjepsëse. Ky libër fenomenal është dëshmi që poezia është akoma gjallë.



Libri "Atdheu i tjetrit"- Antologji Poetike është përceptuar në pesë seksione: "Sfinksi-Mëzat e kaltër" e "Telegram prej varrezës"(poezi), "Mare Nostrum", "Murus Noster", "Check up Homerit" e "Barkodë" (poema). Pjesët "Sfinksi-Mëzat e kaltër" e "Telegram prej varrezës" risjellin poezi nga librat "Sfinksi", "Mbretëria e gjërave të ndaluara", "Të duartrokasësh Kaligulën" dhe "Telegram prej varrezës".



"Atdheu i tjetrit" i Shpend Sollaku Noé-së, si të gjithë librat e tij, është një palestër ku "celulat gri" puarétiane stërviten, djersijnë e lodhen. Ç'do varg duhet menduar. Jo për veshtirësinë për ta përceptuar- stili i Noé-së është nga më të thjeshtët, sepse e vërteta është thjeshtësi- jo, por per vlerën e brendshme. Për mesazhin që ofron. Për emocionet që sjell. Muza e tij nuk është një dinstiktiv, një cohë e lehtë që ta vëjë në pah mes miqve apo në vende publike, por një grusht brenda një dorashke të kadifejtë që të ç'orienton e bën të reflektojë edhe njeriun më të papërvojë.



Product Details

ISBN-13: 9781463406790
Publisher: AuthorHouse
Publication date: 08/12/2011
Pages: 168
Product dimensions: 6.00(w) x 9.00(h) x 0.39(d)
Language: Albanian

Read an Excerpt

Atdheu i Tjetrit

ANTOLOGJI POETIKE
By Shpend Sollaku Noé

AuthorHouse

Copyright © 2011 Shpend Sollaku Noé
All right reserved.

ISBN: 978-1-4634-0679-0


Chapter One

nga libri: Sfinksi-Mëzat e kaltër

1987

Panteoni në black-out, shurdhërisht kremtohet lavdia e kacabujve.

Në fillim ky libër titullohej "Sfiksi". Në vitin 1976, për "Sinksi"-n Ismail Kadaré i shkruante botuesit të regjimit: "I dashur X ..., autori i këtyre vargjeve është një djalë me talent origjinal. Ju kërkoj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri". Kërkesa e Kadaresë u hodh poshtë. "Sfinksi"-t iu mohua botimi dhe autorit iu bë presion të kthehej në klishenë tradicionale të realizmit socialist.

Në shkurt 1987, pas vitesh çenzure, Sh.S.Noé arrin të botojë "Mëzat e kaltër". Por, ndërsa autori shkonte në Lidhjen e Shkrimtarëve t'i gëzohej suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpëritej fati i librit: në karton! I lajmëruar nën zë nga të tjerë autorë të rinj, "të brendshëm" në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", Noé mëson se, pasi e kishte botuar, çenzori kishte vendosur menjëherë ta zhdukte librin.

Bashkë me të fejuarën, Noé rend në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipografëve, të trembur prej "urdhërave nga lart" (Ky libër nuk duhet absolutisht të qarkullojë!), autori arrin "të vjedhë" një kopje të vetme. Kur drejtori i "Naim Frashëri"-t, i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, autori nxjerr kopjen e "vjedhur" prej palltos. Çenzori, i befasuar, pas orësh polemike, detyron autorin të pranojë një "kompromis": të lejohej të qarkullonte libri, por pa vargjet e kriminalizuara!

Në variantin e dytë të "Mëzat e kaltër", mungojnë poezi të tëra dhe shumë vargje janë shkruar nga botuesi! E vetmja kopje e plotë e librit gjendet në arkivin e autorit.

Për t'u shënuar është mbrojtja që i bënë Sh.S.Noé-së shkrimtarët e njohur Nasho Jorgaqi e Fatos Arapi, që u shpreh kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: "Të dërgosh këtë autor në karton i thonë inkuizicion mesjetar"!

Chapter Two

Poezi të grisura nga libri "Mëzat e kaltër"

(shkruar në vitet 1975-1985)

    * * *

    Shkëmbi
    tashmë
    u gërrye,
    por
    edhe
    dallga
    është
    e vdekur.

    * * *

    I prenë duart.
    Pastaj
    i dhanë një baketë
    për të dirigjuar
    Verdin.

    * * *

    Të zgjohesh
    në fund
    të greminës,

    sa
    të rënda
    eshtrat!

    * * *

    Shpatulla
    të kërrusura
    nga pesha e përçarjes
    së të vdekurve.

    * * *

    Lëkundem,
    por nuk rrëzohem,
    në gjuetinë e iluzionit të ardhshëm.

    * * *

    Panteoni në black-out, shurdhërisht
    kremtohet lavdia e kacabujve.

    * * *

    Nëse lulëzojnë
    vetëm lule të hidhura,
    si mund të jetë
    i ëmbël mjalti?

    * * *

    Qiellit zvarrisen retë shterpa
    me një hirnosje të shtirur premtojnë shi.
    Nje ditë ...
    Një muaj ...
    Një vit zvarritje ...
    Toka më kot zgjat buzët të pijë.

    * * *

    Kafaze që frymën ta mbysin,
    udhë vetëm për erën.
    Kavie me sy të bindur
    pulitur në të errët.
    Ëndrra e plagosur e qiellit
    jep shpirt pas kangjellave.

    * * *

    Jeta e ylberit
    më tërheq
    thellë,
    atje, në detin e të përkohshmes,
    ku e kam të vështirë të lundroj.

    * * *

    Ulur
    mbi bar
    shkëmbej një cigare
    me mermerin
    e një varri.

    * * *

    Prej orësh, netësh, muajsh
    mbetem zgjuar,
    për të njohur gjumin tënd.

    * * *

    Ti po vjen, të pa qiparisi,
    ti erdhe, më thanë sytë, gishtat,
    ti erdhe.
    Si gjethe hardhie,
    dora jote,
    më shket lirshëm në supet e ndieshme,
    dhe je shumë herë më e bukur,
    kur je e prekshme.

    * * *

    Të harrosh lotin e tharë
    të burimit të kthjellët,
    sythin e thyer në marsin e hershëm,
    të harrosh,
    të harrosh qerpikun e lodhur
    në pritjen e zbrazët,
    krehjen me gishtat e vdekur në flokë,
    dhe të mbash në fytyrë,
    dhe të fiksosh mbi buzë
    një buzëqeshje të rreme.

    * * *

    Fantasma
    shket
    lirshëm
    trotuareve.
    Syri im - pus i braktisur.

    * * *

    Erë e panjohur.
    Simfoni të re
    dirigjon pylli.
    Dhe është një koncert i fortë
    për drurët e vjetër.


    MËZI PAS KARROCËS *

    Ç'e paskan lidhur pas karrocës
    një mëz që turfullon.
    Vështrimin bredh, por këmba s'ecën,
    ndaj jelen flakëron.

    S'i duron dot në gojë frerët,
    shkarëzehet si rebel,
    e nuk e ndjen syrin e pelës
    plot lëng që e përkedhel.

    E karrocieri flokërënë
    bën sikur s'sheh asgjë.
    Më fort në gishta shtërngon frerët
    e mërmërin pa zë:

    Këtej, këtej, kalë i parritur,
    nga freri të drejton.
    Në s'të pëlqen rruga e nisur
    ky fre të detyron.

    Me zor ustai shtrëngon frerët,
    në baltën pa mbarim.
    Si dy vullkanë të vegjël flegrat
    shfryjnë afsh e pikëllim.

Chapter Three

TELEGRAM PREJ VARREZËS

poezi

Tashmë njoh të gjitha daljet prej Romës, e megjithatë nuk e di sesi hyhet.

    * * *

    Gjithë trupi im është dhimbja
    e një errupsioni të pamundshëm.
    I paaftë jam ta vjell
    atë të squllët e të errët meduzë
    brenda lëvores time,
    i pazotë jam ta degdis atë masë të gurëzuar
    që mbush kafkën.

    Truri më kot përpiqet të godasë membranën,
    është gangrena që bllokon shtegun e shpëtimit.
    Mendja pa dobi përpiqet të bëjë hapin e gaforres,
    është kanceri që bllokon derën e tualetit.

    E dashur, nuk jemi njohur kurrë më parë,
    ishin larvat tona
    hibride resh dhe mjegullash.

    * * *

    Është ora të ikim Sokrat,
    ne të kthejmë patkonjtë,
    të tjerë të bëjnë sikur të jetojnë,
    por askujt s'i është e qartë
    kush shkon drejt më së mirës.
    Mbërriti shpejt perëndimi i Kuazìmodos
    e ngutshëm do t'u hiqemi sysh kandrrave,
    por, në kërcimin e fundit në terr -
    loti i penduar
    që s'mundëm të përceptojmë dot
    muzgun e Dahaut,
    e shumë gjëra të tjera kurrë të përjetuara,
    e plot të tjera kurrë të përfunduara,
    pendimet kurrë të ardhura,
    e krimet kurrë të rrëfyera
    dhe dënesën e shurdhër
    të një grushti të shtrenjtësh
    të mbijetuar nëpër botë.

    * * *

    Gjendet gjithmonë
    dikush që derdh lot
    nën trekëmbëshin
    e tiranit,
    gjendet gjithmonë
    kush epshohet.

    Midis orgjisë
    -xhelati
    që ndjen
    njëlloj
    prej lotit dhe orgazmës.

    Dhe unë
    që më në fund
    shkoj të prehem
    në strofullën e mëkatit.

    * * *

    Shpëtomë, o Zot, nga mania e vështrimit
    të mbërthyer mbi kutizën postare,
    banesë e mesazheve të mbështjella me qefin.
    Shpëtomë, o Zot, nga dihatja e hapit të telegramit
    të postuar nga varreza e largët.

    * * *

    Jam duke ju çuar në litar, por ju mbeteni inertë;
    jam duke ju vetëtuar, por ju jeni të verbër;
    unë ulërij, ulërij, ulërij, por juve ju mungojnë veshët,
    jam duke ju përvëluar dhe zjarri po ju arrin tek sytë
    por ju, copa mermeri, vazhdoni të mbikëqyrni meteorët,
    të kërkoni armikun në planete të tjerë
    e derisa flaka s'u ka plasur retinën
    si të luajtur vazhdoni t'i këndoni kiametit tuaj.

    * * *

    Kam kërkuar Edenin dhe gjeta Skëterrën. Bobo!
    Kam duartrokitur J.F.K. oj, oj,
    dhe më është ngërdheshur Neroni,
    një strehë për të tjerët kërkova
    dhe humba shtëpinë time,
    një botë për të gjithë ëndërrova
    dhe humba atdheun tim.
    Thuamëni, ju lutem, që s'jam i marrë,
    që s'duhet të vazhdoj kërkimin e kotë,
    nëse jo, ofromëni një copë litar,
    nëse jo, ofromëni një arkivol.

    * * *

    Unë thërres Vojtila e përgjigjet gurù Asahara ,
    unë thërres Sebastianos e përgjigjet Zhirinovskij,
    unë thërres De Gasperi e përgjigjet Musolini,
    unë thërres Nënë Tereza e përgjigjet Barbarela,
    unë thërres Budda e përgjigjet Muhameti,
    unë bërtas e ulërij, çirrem e angullij,
    në sfilitjen titanike
    për të deshifruar kodin e gabuar të gjithësisë.

    * * *

    E pashë Napolin, pastaj nuk kërkova të vdisja,
    shkova të gjerb një kafe sizmike
    në lagjet spanjolle.

    * * *

    Gratë
    i zotëroja
    prandaj i përçmoja.

    Yo, "The Game"*,
    por edhe në qerpikun tim
    gjen gjithmonë një bulë
    të hidhur
    të dashnoreve
    të shpërdoruara.

    * * *

    Nëse unë them zbardh, ti bërtet nxin,
    nëse unë them zog, ti menjëherë dhelpër,
    nëse unë ëndërroj akullin, ti menjëherë zjarrin,
    unë shkruaj Hitler, ti shpejt Stalin,
    unë lexoj Duçe, ti shpejt Pertini,
    unë i gjelbër, ti e zverdhur,
    unë rrugë, ti skutë,
    unë gjumë e ti kalvar,
    unë Jesù e ti Pilat,
    ç'të bësh, ç'të bësh,
    bota është kaq e vockël
    e s'mund të jetojmë dot veç e veç.

    * * *

    Nëna ime ndjehej frikshmërisht keq
    dhe e mësova prej një udhëtari 6 muaj më pas;
    daja qe transferuar në qiell
    dhe munda ta di një vit më vonë prej një shoferi;
    porta e shtëpisë time qe thyer,
    kush më spiunonte tash është president
    dhe munda ta marr vesh dy vjet më pas
    prej një gazete të ricikluar.
    Atdheu im po shpërbëhej
    dhe m'u njoftua nga TV-ja e të tjerëve,
    haluçinacionet e mia ishin ç'helmuar,
    të mbeturat të akulluara,
    por pasqyra ishte e thyer
    dhe shpirtkënaqur s'mund t'i numëroja rrudhat.

    * * *

    Është koha e rrafshimit të monumenteve tuaja
    dhe i ngritjes së tonave,
    të bëjmë të qajnë prapë gratë tuaja
    e t'i ribëjmë të shkëlqejnë tonat,
    e sqimës së bijve tanë-ushtarë
    dhe e vënies në gjunjë të tuajve,
    e smokingëve tanë të markës
    dhe e qivureve tuaja të kalbura.
    Dhe s'dihet se për kë Zotat po përgatisin
    mermerin e nesërm,
    bronxin e ardhshëm,
    këshilluar prej Mark Aurelit.

    * * *

    Më vjen keq, Galilè,
    kanë kaluar qindra vjet,
    e megjithatë asgjë nuk lëviz.

    Ditët e derdhura për të vuajtur
    janë çmendurisht të papërfillshme,
    nuk mjaftojnë për të na xhuxhëzuar,
    përtharë,
    çtrurëzuar.

    Netët e dhëna për t'u dëfryer
    janë hiçi i paprekshëm.
    Lipset zgjerimi i harkut jetësor
    dhe një tjetër shpërndarje
    riguar prej qiellit
    o e shpërthyer nga rrënjët e magmës.

    * * *

    Ke qenë përsëritshmërisht i mprehtë
    për të thërrmuar shumë kuaj Troje,
    por asnjëherë nuk ke kuptuar
    kush ishte Odiseu.

    * * *

    Jam i parazgjedhur të hip
    mbi qerren e të mundurve.

    * * *

    Vrumbullij,
    më urreni;
    buzëqesh,
    mallkoni si më parë;
    "Njatjeta" ime,
    përçmimi juaj.
    Hesht,
    nuk është tjetërqysh.
    Duhet të pendohesh, Euklid, për aksiomën
    e vijave të drejta që s'takohen kurrë,
    ndoshta të është përvjedhur elektromagnetizmi i urrejtjes
    që mbush boshin e bën të takohen drejtëzat,
    materia mjegulluese
    që eksiton ndryshmëritë tona,
    korrenti elektrik i qenërimit,
    fusha magnetike e helmit,
    tensioni i lartë i keqdashjes.

"Abysses-Voragini"

Nga parathënia e librit me të njëjtin titull, botuar në Sh.B.A, në anglisht e italisht, në vitin 2009.

"Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, politikan i lindur, martir i lirisë së shtypur. I paisur me një përgatitje të gjerë kulturore, letrare, filologjike e muzikore, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karakter i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjencë të mprehtë, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpend Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane. Poemat "Mare Nostrum", "Murus Noster" etj, janë të një bukurie të rrallë. Lirika e tij është aktuale, therëse, kafshuese, mallëngjyese, e vuajtur, gërvishtëse, magjepsëse. Ky libër fenomenal është dëshmi që poezia është akoma gjallë.

Stelvio Mestrovich Wotnynski

Chapter Four

MARE NOSTRUM

Katër esktrakte x katër sezone

Poema e humnerave

    ekstrakti I

    Erë e përçartur përdhunon ujërat, i zë nga gryka, i zhvesh,
    u gris të linjtat, i bën të fluturojnë leckat e përgjakura
    të mistereve të varrosura të apnèsë,
    dhe detit i pëlqen përdhunimi i stuhisë
    e kurrë s'e ka menduar të denoncojë tek Zeusi
    shoqen e bezdisshme.
    Është deti i dimrit, që s'është kurrë binjaku
    i detit të pranverës,
    s'është as kushëri i largët i detit të verës,
    s'është as edhe mik i detit të vjeshtës.

    Është deti i natës, i verbër e i errët,
    që u ofron errësirave gjithë atë birrë
    prej brokave të humnerës,
    deti që, nga njëra brokë në tjetrën,
    zbulon trofetë e thellësive,
    det trishtueshmërisht i dehur
    që djeg prej dëshirës që t'i rrëfehet
    qiellit e s'do gjë tjetër veç kërkënd
    që mund t'i vejë veshë.
    Deti-pronar i një palë xhinsesh të ngecura
    në hinkën e rrjetës peshkatare që vjell
    gjithçka që veç peshk s'është
    por jo pyetjen e peshkatarit që s'do të heshtë.
    Deti - pavion i të vetëtimtës lindje çezare,
    deti - varrezë.

    Mare Nostrum i dimrit nuk duket në Xhàfna,
    por ndihet furia e dallgëve që pothuaj prekin majat
    e shushatura prej kohës
    ndaluar në analet,
    në skutat, ku vetëtojnë majat
    e bajonetave.
    Deti i gjakut vëlla
    që rrjedh atje larg nuk është i njëjtë
    as edhe me thjeshtrin Indian,
    cinikun det që lag këmbët e Remi Mòzesit ...
    që dhuron vetëm barkime,
    që mëkon agimin e përvajshëm, robëdëshambër
    të Sirakuzës, të mekurën strehë ku do zbarkojë iluzioni.

    Por në Kolombo deti duket, det i nëntorit,
    mik i rremave, portë e Kajros, albatër i Aleksandrisë
    së Egjiptit, deti piramidë, i varreve labirinte, i vdekjeve
    për t'u hequr kapakët, i arit të ëndërruar, i qetësive fantazma,
    deti i sirenave, mikesha të Remi (Mozes)
    që trokëllijnë në pambarim. Det - shushunjë.
    Det magjepsës i dimrit, eksod i jashtëligjshëm
    drejt pikëmbrritjes liri, nën të rrëmbyeshmen kometë
    ogurmbarë, det i njëmbëdhjetë mosketierëve
    të Todher i Swabit,
    det grabitës i shpresave të Gujratit,
    det qivur i Mandi Bahawudinit,
    det i Krishtlindjeve.

    Edhe hangarëve të gërdallës lundruese dimërore
    dëgjohet deti, deti armik, që alarmon psiken,
    me ngrysjen e thellë të dallgës që ulërin në vithet
    rënkuese të çelikut në grahma, të të ftohtit më brerës
    se frigoriferi shtrat e vendstrehim, nën kapanxhën
    që di gjithmonë vetëm të mbyllet, kurrë të hapet;
    burg rënkimesh të ankthshme, akut rravgimesh
    për ndihmë, asfiksim shpresash, shembëllesa
    të gjak e gjirit
    që shuhen
    dhe uji i adhuruar që pllakos rrugët e frymëmarrjes,
    në trupat me sy të shqyer, të dhimbjeve që davariten
    në detin Mahatma,
    të qetësive të luajtura mendsh;
    në detin Kolomb
    të Amerikave të humnerës.

    Mare Nostrum dimëror është xheloz
    e nuk ekstradon çka dashuron më shumë:
    një cullufe nga krifa vorbullore e Ghazanfar Aliut,
    sytë kristalorë të Pervaiz Iqbalit
    që mund të verbojnë peshkaqenët e hijeve,
    shpatullat e gjëra të Ahsan Shahut
    që synojnë të vithisin kontainer mllefesh,
    etjen e dhunshme të Naveed Akhtarit
    që mund të përthajë këneta makthesh,
    rebelimin e thonjve të Abid Hussainit
    ndaj hakërruesit tel me gjemba,
    gjuhën e prerë të Ghulam Rasulit
    akrobate drejt lirish të pazbuluara,
    trurin që di të mendojë
    pavarësisht nga torturat
    të Sitra Chianit ...
    Gjithçka-pronë e detit që luan marrisht,
    e detit Mahatma,
    e detit Krisht.

(Continues...)



Excerpted from Atdheu i Tjetrit by Shpend Sollaku Noé Copyright © 2011 by Shpend Sollaku Noé. Excerpted by permission of AuthorHouse. All rights reserved. No part of this excerpt may be reproduced or reprinted without permission in writing from the publisher.
Excerpts are provided by Dial-A-Book Inc. solely for the personal use of visitors to this web site.

Table of Contents

Contents

Shpend Sollaku Noé - evolimi i një metafore —....................v
"Atdheu i tjetrit" —....................xi
nga libri: Sfinksi-Mëzat e kaltër —....................1
Poezi të grisura nga libri "Mëzat e kaltër" —....................5
Telegram prej varrezës —....................25
Mare Nostrum —....................45
Murus Noster —....................61
Check up Homerit —....................81
Barkodë —....................93
Citime rreth veprës së Shpend Sollaku Noé-së —....................149
From the B&N Reads Blog

Customer Reviews